Kënga e Mallkimit të Tokës së Djegur
Një poezi e shkruar si akt rezistence kundër relativizimit të gjenocidit, për ta mbrojtur kujtesën e viktimave dhe dinjitetin historik të Kosovës.
Fjalë hyrëse
Këtë poezi e kam shkruar në nëntor 2025, menjëherë pas deklaratave publike që tentuan ta relativizojnë figurën e Slobodan Millosheviqit dhe gjenocidin serb në Kosovë, duke e zhvendosur fajin nga krimi te procedura gjyqësore.
“Kënga e Mallkimit të Tokës së Djegur” është përgjigja ime ndaj këtij revizionizmi, një akt rezistence morale në emër të viktimave, të nënave që ende presin eshtrat, dhe të brezit të ri që rrezikon ta mësojë luftën si “opinon”, jo si dhimbje. Kjo poezi u drejtohet atyre që sot përpiqen ta zbardhin kasapin e Ballkanit Sllobodan Millozheviq, ta mjegullojnë gjenocidin dhe ta kthejnë kujtesën kolektive në lojë fjalësh.
Ky tekst nuk është dekor letrar. Është mallkim i kësaj toke ndaj çdo përpjekjeje për ta zbutur, relativizuar apo harruar gjenocidin serb në Kosovë.
Kënga e Mallkimit të Tokës së Djegur Në këtë tokë ku dheu ka ngrënë më shumë trupa se grurë, janë ngritur disa që duan ta veshin Millosheviqin me lëkurë të re, si t’i vishet një makthi një këmishë e pastër për t’u shfaqur në treg si njeri. Ata ecin si korba që kërkojnë ta mbulojnë diellin me krahë të nxirë nga turpi, dhe nëpër gojët e tyre rrjedhin fjalë të ftohta që i lajnë krimet me ujë të pisët. E thonë se s’paska gjyq, se s’paska vulë, se s’paska nënshkrim të dënimit. Por nënat e Kosovës nuk kanë nevojë për vulë. Vula është djalli që ua mori djemtë. Vula është tymi që del ende nga shtëpitë e djegura kur i bie era jugut. Vula është toka që kthen prapa eshtrat e pakallura sa herë bie shi. Dhe ju që kërkoni ta zbardhni kasapin, ju që bridhni nëpër terr për t’i fshehur gjurmët e tij, jeni më të errët se nata kur u nisën kolonat e fundit. Mjerë ju, se koha s’ju ka rezervuar as lot, as lutje, por një faqe të ftohtë nën titullin tradhtarë të kujtesës. Në Gjakovë, nënat heshtin prej 25 vjetësh, se kan frikë ta thonë emrin e vajzës e të djalit mos ndoshta e zgjon ëndrrën që i mbanë gjallë. Në Reçak, bariu kërkon ende nëpër bar gërvishtjen e fundit të çizmes së djalit të vet. Në Izbicë, një fëmijë i rritur tashmë ia fshin tokës dheun me dorë si të kërkonte babanë poshtë rrasës së dheut. Këta janë gjyqi. Këta janë vendimi. Këta janë të vdekurit që flasin më fort se çfarëdo gjykate televizive e armikut tonë. Dhe ju, që mbroni fjalët e relativizimit, libri i këtij vendi nuk ka vend për ju. Po ju them siç e thotë toka: shkoni pas hijeve ku i keni rrënjët. Sepse ky vend nuk mban mbi supe ata që i vënë duvak të bardhë krimit. Mos mendoni se do të kujtoheni. Jo, ju s’keni fatin e kujtesës. Ju jeni të shënuar për braktisje. Si gjethe të vjeshtës që i merr era dhe i harron. Dhe kur nënat të cilave u mungojnë kockat e fëmijëve të dalin nesër të kërkojnë drejtësi, mos dilni përpara tyre. Sepse fjala juaj digjet në mes të gjuhës, dhe zemra juaj nuk e ka peshën e një pikë loti të tyre. Ky është mallkimi i tokës së Kosovës: të mos harrojë asnjë që tentoi ta zbuste gjenocidin, asnjë që vuri mjegull mbi varret, asnjë që ia thau kujtesën me fjalë të helmëta. Në fund, ju nuk do të jeni varg. Nuk do të jeni as kujtim. Do të jeni vetëm hi i lehtë që era e këtij vendi e shpërndan pa u lodhur.




